e-Albania

Kërko »

AKSHI Banner

Ndodheni këtu:Kreu  AKSHI  Të reja

Firmoset Memorandumi i Mirëkuptimit për ndarjen e punës midis donatorëve të BE-së në Shqipëri

 

Sot në ambientet e Këshillit të Ministrave u firmos mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverive të vendeve Evropiane, Memorandumi i Mirëkuptimit për Iniciativën Pista e Shpejtë mbi Ndarjen e Punës ( Fast Tracking of Division of Labour). Vendet pjesëmarrës në këtë iniciativë si: Italia, Austria, Suedia, Bashkimi Europian, Zvicra, të përfaqësuar nga ambasadorët përkatës në Shqipëri Sh.T.Z. Saba D'ELIA, Ambasador i Italisë, Sh.T.Z. Florian RAUNIG, Ambasador i Austrisë, Sh. T. Znj. Yvana ENZLER Ambasadore e Zvicrës, Sh.T.Z. Helmuth LOHAN, Kreu i Delegacionit të BE-së, Znj.Elisabeth STAM, e Ngarkuara me Punë e  Ambasadës Suedeze, në Tiranë, ishin firmëtarët e Memorandumit, kurse në emër të Qeverisë Shqiptare firmosi Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e Komunikimit Z. Genc POLLO.


Kjo iniciativë është ndërmarrë në shkurt 2009 dhe qëllimi i saj është të ndihmojë në koordinimin e ndihmës së huaj midis donatorëve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe zbatimin e Kodit mbi Sjelljen dhe Ndarjen e Punës, kod që është adoptuar nga Këshilli i Ministrave në maj 2007. Pas një pune të përbashkët të kryer në këtë periudhë u arrit një marrëveshje mbi rolet dhe përgjegjësitë e donatorëve evropianë në këtë kontekst.


Gjithashtu përcaktimi i një donatori lider në secilin sektor u arrit nëpërmjet shprehjes së interesit nga ana e donatorëve duke marrë parasysh angazhimin e tyre në atë sektor.


Firmosja e këtij memorandumi zyrtarizon zbatimin e kësaj iniciative dhe rritjen e mëtejshme të efektivitetit të ndihmës së huaj për një zhvillim të orientuar drejt rezultateve.

 

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit Ministri Pollo tha: “ Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ka për qëllim ndër të tjera përmirësimin e koordinimit të përpjekjeve tona si dhe rritjen e efektivitetit të ofrimit të ndihmës së huaj, si dhe shënon fazën e zbatimit për Pistën e Shpejtë mbi Ndarjen e Punës. Unë do të doja të theksoja se duke marrë parasysh specifikat e ndihmës së huaj në disa sektorë dhe aktorët e përfshirë, ndarja e punës duhet të marrë në konsideratë gjithashtu rolin aktiv të disa donatorëve jo-përfaqësues të BE-së, me qëllim shmangien e dyfishimit (dublikatave) dhe rritjen e efektivitetit të përpjekjeve tona të përbashkëta.
Ndër detyrat e caktuara grupit të përbashkët të punës është kryerja me sukses e përgatitjes së pyetësorit për caktimin e hartës së koordinimit të donatorëve, hartën aktuale të mbështetjes së donatorëve në sektorë të ndryshëm, si dhe marrëveshjet e ndryshme mbi rolet dhe përgjegjësitë e donatorëve evropianë pjesëmarrës.”

 

Në fund të fjalës së tij Ministri Pollo falenderoi grupin e punës, Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe të Koordinimit të Donatorëve (DEBASKON) dhe përfaqësuesit e donatorëve, për punën e kryer, që e bënë Pistën e Shpejtë mbi Ndarjen e Punës një realitet në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë Ministri përgëzoi Zyrën Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë, Z. Flavio Lovisolo dhe Znj. Serena Vitale për drejtimin e diskutimeve në këtë temë.

 


pass_si

Kërkon të dish

Lajme

Shërbime të reja

logo_akt

 

© Copyrigh 2009 e-Albania