Fjala e Kryetarit të Komisionit të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave, Z. Genc Pollo
Seminar teknik nga INSTAT, Tiranë, Hotel Sheraton, 18 qershor 2010
“Rregjistrimi i Popullsisë dhe Banesave 2011 është shoqëruar me një debat që lidhet pikërisht me çështjen për të cilën jemi mbledhur të diskutojmë sot. Ky proces është një ndër më madhorët dhe me rëndësi për Shqipërinë për krijimin e një baze të dhënash për një politikë-bërje dhe qeverisje më të mirë si dhe për përafrimin e sistemit kombëtar statistikor me atë evropian. Rëndësia e një rregjistri të plotë të saktë dhe të detajuar të Popullsisë dhe Banesave e shtyu qeverinë që me fondet e saj, por dhe me ndihmën e donatorëve të ndërmarrë një ndër investimet më të mëdha për Shqipërinë. Ne jemi të bindur, se realizimi i kësaj baze të dhënash do të na shërbejë të gjithëve, dhe do të jetë bazamenti për hartimin e politikave dhe realizimin e shumë projekteve në të ardhmen. Eshte rasti për te falenderuar përzemërsisht donatorët, BE, Komisionin Europan e delegacionin e tij ne Tirane nën drejtimin e Ambasadorit Lohan, OKB e perfaqësuesin e perhershëm në Tirane znj Turkoz-Cosslet, Suedine, Zvicrën e te tjerë.
Qeveria shqiptare këtë projekt e ka mbështetur dhe do ta mbështesë në vijimësi pasi në radhë të parë këto të dhëna do t`i shërbejnë asaj për të ndërmarrë politika më të mira social-ekonomike. Veç krijimit të këtij arkivi të saktë të të dhënave, përmes regjistrimi synohet plotësimi i një prej detyrave madhore të integrimit të vendit. Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave është arritja e një prej standardeve që kërkon dhe Bashkimi Europian, pasi ky proces synon të barazojë Shqipërinë me vendet e tjera të zhvilluara në pikëpamje të statistikave. Ne synojmë që shumë shpejt, pra në 2011 të kemi të njëjtin nivel treguesish me shtetet e tjera, pra të kemi një Census më të mirë sesa ai i mëparshmi, më koherent dhe me detaje e të dhëna të reja. Kesaj do t’i shërbeje edhe percaktimi në Shqipëri së afërmi i NUTS njesive te nomeklatures territoriale statistikore të perdorur nga BE për të përftuar të dhëna të krahasueshme Ne jemi të bindur se ky objektiv do të arrihet më së miri, pasi Njësia e Regjistrimit në INSTAT, me asistencën e qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare, në pyetësor po aplikon të njëjtat standarde me ato të Bashkimit Europian.
Census 2011 duke qenë dhe një nga operacionet më të mëdha kryer në vitet e fundit, përfshin çdo shtëpi dhe ndërtesë në vend. Informacioni i mbledhur nga ky regjistrim do të ndikojë pozitivisht në shumë sipërmarrje të së ardhmes, pasi krijon rregjistër me të dhëna të rëndësishme sociale e ekonomike, për të gjitha nivelet e organizimit administrativ te vendit deri ne komuna, fshatra, etj. Ai na jep një pamje të qartë të situatës aktuale, por dhe ndihmon shumë për realizimet e proceseve të ngjashme në të ardhmen. Kjo fotografi e momentit, por që është shumë dimensionale do të lehtësojë për këdo kuptimin e situatës ekonomike, sociale, bujqësore, demografike dhe të shumë fushave të tjera, pasi na jep një informacione shumë të qarta dhe të larmishme.
Census-i që kësaj here është më i plotë se herët e tjera do të na japë një panoramë të qartë dhe e kuptueshme për të gjithë vendin, duke barazuar cilësinë dhe larminë e të dhënave si për Tiranën, ashtu dhe për një fshat të vogël qindra kilometra larg Tiranës. Realizimin me sukses të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave e shikojmë dhe si një ndihmë të madhe edhe për biznesin, për investimet private në vend, sepse të dhënat e qarta për çdo zonë do të krijojnë lehtësira edhe për komunitetin e biznesit. Natyra dhe madhësia e projektit Census 2011 kërkon që të gjithë aktorët e procesit të regjistrimit të pajisen me informacion dhe të dhëna të sakta në kohë për të zbatuar një regjistrim sa më cilësor dhe bashkëkohor. Pra këto të dhëna janë qartazi më të rëndësishmne në raport me debatet sensacionaliste qe shoqeruan per dy tre javë njoftimin mbi fillimin e REPOBA-s në janar të këtij viti. Është diçka shumë pozitive që është zhvilluar një konsultim me të gjitha grupet e interesit për të ëprcaktuar formatet dhe detajet e pyetësorit që do t’i nënshtrohet çdo banor i vendit vitin e ardhshëm.
Ne mendojmë që procesi do të jetë i suksesshëm, pasi dhe testimet e bëra sipas programeve nga Njësia e Regjistrimit në zona të ndryshme të Shqipërisë kanë dhënë rezultatet e para për realizim të mirë të Census-it. Si kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, dua t’u informoj se në 3,100 familje kanë përfunduar regjistrimet e para që janë pjesë e një Projekti Pilot. Ne e kemi cilësuar si të rëndësishëm këtë hap të hedhur, duke e financuar plotësisht me fonde buxhetore, pasi zonat ku është shtrirë Piloti janë të shumta dhe gjenden në pothuajse të gjitha llojet e qyteteve, komunave apo bashkive në Shqipëri. Mendoj që kemi një mostër që është prezentative, mbi bazën e të cilës do të orientohet ushtrimi i madh i vitit të ardhshëm.
Së fundi do të doja të thoja se të dhënat që INSTAT jep në mënyrë periodike për publikun janë të sakta e të besueshme, në procedurën e nxjerrjes dhe mënyrën e përpunimit të tyre. Të gjithë i dimë problemet e hasura me statistikat e hasura edhe në vendet e tjera. INSTAT ka bashkëpunuar dhe po bashkëpunon për çdo lloj paraqitje të të dhënave në institucionet ndërkombëtare dhe nuk është e rastësishme që kemi marrë vlerësimet më të mira edhe nga EUROSTAT-i. Të dhënat e përfituara me profesionalizëm janë të dhëna të sakta e të besueshme që do të na shërbejnë ne, Qeverisë, por edhe kujtdo tjetër për të hartuar politika të duhura dhe të ndërmarrë vendimet e duhura mbi bazën e një informacioni faktik dhe të besueshëm.”