Fjala e Ministrit Z. Genc Pollo "Politika e Komunikimit Elektronik"
“Të nderuar anëtarë të Qeverisë e drejtues të rregullatorit,
Të nderuar përfaqësues të donatorëve e të sektorit privat,
Zonja dhe Zotërinj,
Në emër të Qeverisë do të doja t’ju falenderoja përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje dhe për donatorët tanë, për mbështetjen tuaj të vazhduar e të efektshme në zhvillimin e vendit tonë.
Sot ju paraqesim një dokument të rëndësishëm për sektorin e komunikimeve elektronike, i cili do të udhëheqë nesër punën e qeverisë, të rregullatorëve, të operatorëve e të gjithë aktorëve të tjerë. Sot Shqipëria ka një penetrim të telefonisë celulare në mbi 100%, shifër gati e njëjtë kjo me mesataren e BE prej 111%. Përdorimi i internetit është shtuar ndjeshëm, kemi shënuar rritjen më të shpejtë në Evropë dhe këtë e tregon më së miri shumëfishimi 30 herë brenda një viti i lidhjeve ADSL, ofrimi i internetit në shkolla në masën 100% në sajë të një programi të Qeverisë të iniciuar në vitin 2006, rritja e numrit të ofruesve të shërbimit të internetit dhe pa dyshim përdorimi për këtë i teknologjive mobile GPRS dhe EDGE.
Imperativi real, dy vitet e ardhshme në Shqipëri, do të jetë më shumë adaptimi i teknologjive të reja dhe i komunikimeve elektronike për njerëzit dhe punën e tyre, se sa detyrimi i njerëzve për t’ju adaptuar atyre. Por ndërsa teknologjia na hap horizonte të reja, do të nevojiten ndryshime edhe më të mëdha. Në një marrëdhënie konstante me teknologjitë e reja, njerëzit dhe organizatat, duhet të ndryshojnë në mënyrë të paevitueshme mënyrën e bërjes së gjërave prej tyre, për të shfrytëzuar siç duhet mundesitë. Për më tepër, në Epokën e Informacionit, organizimi në rrjet dhe qeveria në rrjet janë pjesë e një shoqërie në rrjet. Pika kyç për Qeverinë Shqiptare është që vendi ynë ka talentin, aftësitë dhe dijet e përdorimit të mjeteve elektronike po aq efektivisht sa edhe vendet e tjera të OECD.
Por pavarësisht këtij zhvillimi mbresëlënës ka plot probleme që dokumenti premton t’i zgjidhë.
Qëllimi i politikës
Dokumenti i ri i politikës përcakton strategjinë afatmesme të Qeverisë për zhvillimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë. Ky dokument zëvendëson dokumentin e politikave të miratuar në vitin 1999 për sektorin e telekomunikacioneve.
Dokumenti i ri rishikon situatën aktuale të tregut shqiptar të komunikimeve elektronike, konsideron kontekstin politik, rregullimet institucionale të krijuara me ligjin actual, si dhe tendencat e zhvillimit për të ardhmen. Dokumenti merr në konsideratë gjithashtu zhvillimet teknologjike të tregut në vend dhe ato të tregut më të gjerë europian.
Objektivi kryesor i dokumentit të politikës është të përshkruajë vizionin e Qeverisë shqiptare për të ardhmen e sektorit të komunikimeve elektronike. Dokumenti shoqërohet me Planin e Veprimit, i cili përcakton detyrat kryesore të implementimit për vitin 2010 dhe 2011.
Dokumenti i politikes ka konsideruar përgjigjet e marra nga konsultimi publik. Ne falenderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë konsultim, i cili u zhvillua gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009. Është e qartë që në Shqipëri, në shumë raste, ka mungesa komunikimi ndërmjet politikëbërësve, bizneseve, edukimit dhe prodhuesve të teknologjive. Kjo pjesërisht ka ardhur nga rolet tradicionale të këtyre grupeve të ndryshëm të interesit, por edhe nga që nuk ka një kuptim të plotë, jo vetëm të teknologjive në vetvete, por dhe të impaktit potencial që këto teknologji mund të kenë mbi Qeverinë, industritë dhe tërë qytetarët. Ky konsultim i dobishëm do të pasohet nga të tjerë, për t’u kthyer në një praktikë standarde.
Dokumenti i mëparshëm i politikës ishte miratuar në vitin 1999. Që nga ajo kohë kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në sektor. Operatorët e telekomunikacionit kanë kaluar nga pronësia shtetërore në pronësi private. Investimet e reja kanë sjellë një transformim të rrjeteve nga analoge në dixhitale, dhe ky investim ka bërë gjithashtu që shërbimet e lëvizshme të kapercejnë me shpejtësi kërkesën për shërbime tradicionale fikse.
Sfida tjetër është brezi i gjerë (
broadband), i cili solli tek konsumatorët një gamë më të madhe shërbimesh, fikse dhe të lëvizshme, telefoni, të dhëna, TV dhe internet. Operatorët në Shqipëri kanë parashikimet e tyre, por së fundmi sipas “The Economist”, investitorët në disa vende kanë parashikuar një rritje me 40 deri në 50 herë në përdorimin e broadbandit nga konsumatorët në një periudhë 5 vjeçare.
A është Shqipëria gati për një shpërthim të tillë të kërkesës për shërbime moderne të komunikimeve elektronike? Është shumë e qartë që ne kemi nevojë të përshtasim politikën tonë drejt mundësive të së ardhmes për investime në treg, duke thyer barrierat për krijimin e aksesit më të mirë për konsumatorin dhe për më shumë infrastrukturë ndërkombëtare e kombëtare të shpejtësisë së lartë, në veçanti për broadband. Kjo nënkupton një përdorim më efektiv të spektrit të frekuencave dhe gjithashtu kushte më të mira të infrastrukturës kombëtare të kapaciteteve të larta.
Në të njëjtën kohë, ne duhet të mbrojmë interesat e konsumatorit dhe të sigurojmë zgjedhjen e tij, duke ruajtur tregje konkuruese. Vizioni i përgjithshëm për Shqipërinë është: “Një shoqëri ku të gjithë do të përfitojnë nga teknologjia e komunikimit dhe informimit, me synim rritjen e njohurive, përmirësimin e efektivitetit dhe transparencës në admistratën publike”.
Vizioni i Qëverisë buron nga “Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013”. Në përputhje me marrëveshjen dhe marrëdhëniet politike të Shqipërisë me BE, ne do të kërkojmë gjithashtu të arrijmë integrimin në tregun unik të BE për komunikimet elektronike.
Baza ligjore për politikën
Ligji ynë Nr. 9918 “Për komunikimet elektronike” i miratuar rreth dy vite më parë, me objektiv të përgjithshëm që “...nëpërmjet parimit të asnjanësisë teknologjike, të promovojë konkurrencën dhe infrastrukturën eficente në komunikimet elektronike, si dhe të garantojë shërbimet e duhura e të përshtatshme në territorin e Republikës së Shqipërisë...” solli shumë ndryshime të rëndësishme. Këto ndryshime janë akoma duke u implementuar sot. Perveç përcaktimit të rolit të Ministrit e Qeverisë si politikëbërës, dhe detyrimeve të tjera, përfshirë planifikimin e spektrit të frekuencave, ligji bëri një ndryshim tjetër shumë të rëndësishëm: tani qartësisht përcaktohet roli i AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) si një organ i pavarur, rregullator i sektorit për promovimin e konkurencës efektive në rrjetet dhe shërbimet, si dhe për krijimin e mundësive për të gjitha kategoritë e përdoruesve.
Ligji përcakton në ç’mëmyrë AKEP duhet të sigurojë konkurrencën e lirë dhe efektive, në sektorin e komunikimeve elektronike, përmes një analize sistematike të tregut, duke përdorur parimet e konkurencës së BE, dhe duke u konsultuar me tregun para marrjes së vendimeve të rëndësishme rregullatore.
Roli i AKEP nuk ka qenë një tranzicion i lehtë. Kalimi nga tregjet monopolistike drejt atyre konkuruese ka qenë një sfidë e tranzicionit në shumicën e vendeve. Nuk ka qenë e lehtë gjithashtu dhe kalimi i rregullimit nga Qeveria tek rregullimi i tregut, përmes një organi vendimmarrës, i pavarur. Ligji Nr. 9918 ka nevojë për forcime të mëtejshme, për të siguruar që tregu konkurrues të mund të funksionojë për interesat e të gjithëve, konsumatorit, investitorit dhe shoqërisë në përgjithësi.
Një progres i mirë është bërë tashmë në këto dy vitet e fundit. Tani një investitor mund të hyjë në tregun e komunikimeve elektronike përmes një procesi të thjeshtë notifikimi, i cili ka zëvendësuar procedurat më të ngurta të licensimit në të kaluarën. AKEP gjithashtu ka fituar eksperiencë në përdorimin e praktikave europiane të analizës së konkurrencës së tregjeve, në aplikimin e masave rregulluese, që sigurojnë masat mbrojtëse për konsumatorët dhe më të mira konkurruese për investitorët.
Tregu është rritur ndjeshëm gjatë këtyre dy viteve të fundit, më mirë se në vendet e tjera, që kanë vuajtur, ashtu si Shqipëria, nga kriza globale financiare. Sektori i Postë-Telekomunikacioneve, në raport me një vit më parë, në tremujorin e tretë të 2009 u rrit 35%, dhe 20%, në raport me tremujorin e dytë. Por infrastruktura e rrjetit dhe e aksesit mbetet poshtë vendeve të tjera. Sikurse e tregojnë statistikat e raportit, Shqipëria akoma mbetet me një penetrim më të ulët broadband, krahasuar me pjesën tjetër të rajonit.
Kjo është situata që ne kemi tani, dhe që duam ta ndryshojmë.
Ka disa elementë kryesorë të politikës, që dua të theksoj:
Cështja e parë për t’u theksuar është mbi liberalizimin e spektrit;
Qeveria dëshiron të promovojë aksesin në komunikimet elektronike moderne, me prioritet aksesin broadband në Shqipëri. Në zemër të kësaj politike është liberalizimi i spektrit radio në Shqipëri, duke ndjekur tendencat ndërkombëtare me krijimin e një “ekonomie wireless/ pa tel”.
Në mënyrë specifike, spektri i papërdorur do të bëhet i disponueshëm, dhe ne gjithashtu do të promovojmë ripërdorimin e spektrit ekzistues për shërbime dixhitale moderne në mënyrën me eficente.
AKEP shpejt do të fillojë konsultimin publik, për të vlerësuar kërkesat imediate për brezat e frekuencave, dhe më pas AKEP do të fillojë procedurat me qëllim që aksesi broadband, në fiks dhe mobile wireless, si dhe tekonologjitë e gjeneratës së tretë (3D), të marrin progres të shpejtë gjatë vitit 2010.
Me kalimin e kohës, synimi ynë është liberalizimi i mëtejshëm e mundësisht i plotë i spektrit. Kjo do të thotë që spektri do të jetë i drejtuar nga tregu, mbi bazën e neutralitetit teknologjik dhe mbi bazën e një shërbimi neutral. Kjo është një sfidë për administrimin e spektrit kombëtar në Shqipëri dhe ne do të bashkëpunojmë me AKEP dhe KKRT për të bërë të mundur këtë gjë.
Cështja e dytë që dua të theksoj në politikë është sigurimi i të drejtës së kalimit (Rights of way) për investimet në infrastrukturë.
Situata për investitorët në tregun e komunikimeve elektronike, në lidhje me ndërtimin e infrastrukturës fizike, përfshirë ndërtesat, kanalizimet dhe tubacionet nuk ka qenë e kënaqshme.
Ne kemi për detyrë për të bërë të gjitha rregullimet e nevojshme dhe të përshtasim rregullat përkatëse, që kanë të bëjnë me përdorimin e pronës publike dhe private, për të siguruar minimizimin e pengesave për zhvillimin e tregut.
Në konsultim me rregullatorët dhe sektorin privat, është krijuar një grup pune ndërministror për të hartuar legjislacionin e nevojshëm dhe për të zgjidhur problemet. Aktualisht është duke u vlerësuar situata si dhe zgjidhjet e përdorura në vendet e tjera.
Cështja e fundit që dua të nënvizoj është Integrimi Europian
Shqipëria synon të ndjekë mekanizmat e BE për implementimin dhe zhvillimin e regjimit rregullator për komunikimet elektronike. Ne ndjekim zhvillimet dite pas dite të politikave të BE, në drejtim të komunikimeve elektronike e spektrit, përmes komiteteve, grupeve përkatëse te BE dhe do të shqyrtojmë rezultatet e studimeve të publikuara.
Ne dëshirojmë të bëhemi pjesë e menjëhershme në zhvillimin e një tregu të vetëm efektiv për komunikimet elektronike, duke përshtatur sa më shpejt të jetë e mundur ndryshimet më të fundit të bëra në kuadrin rregullator të BE. Kjo do të forcojë mbrojtjen e konsumatorit, të drejtat e qytetarëve, do të sigurojë një konkurencë më të ndershme dhe një rregullim me konsistent të tregut, do të përshpejtojë zhvillimet për aksesin broadband dhe hapjen e rrugës për investime të mëtejshme, në rrjetet e gjeneratës së ardhshme.
Miratimi i politikës
Në javët e ardhshme, politika e komunikimeve elektronike do të paraqitet në Këshillin e Ministrave për miratim me angazhimin e saj për një liberalizim të mëtejshëm dhe heqjen e barrierave për investimet.
Ne dëshirojmë që tregu të përmbushë kërkesat në pritje për shërbime moderne dhe në vecanti për broadband. Ne gjithashtu do të punojmë për ndryshimin e ligjit të komunikimeve elektronike në mënyrë të përshtatshme.
Prezantimet në vijim do të japin një analizë më të detajuar të politikës dhe implementimit të saj.
Faleminderit
16 Shkurt 2010