Fjala e Z. Genc Pollo, Ministër i Shtetit eSEE Meeting
“Të nderuar pjesëmarrës,
Është një kënaqësi për mua të jem këtu me ju sot, në këtë takim të rëndësishëm të Iniciativës të bashkëpunimit rajonal të electronic South Eastern Europe (eSEE). Në emër të Qeverisë Shqiptare ju uroj mirëseardhjen dhe suksese gjatë këtyre dy ditëve të takimit në Tiranë.
Ashtu siç e ka theksuar edhe Axhenda + Evropës Juglindore elektronike, zhvillimi i shoqërisë së informacionit është thelbësor për zhvillimin e shpejtë të rajonit. Duke iu bashkangjitur nismës rajonale të eSEE në qershor 2002, Shqipëria shprehu gadishmërinë dhe angazhimin e saj për integrim dhe bashkëpunim, si dhe tregoi interesin e saj në ndjekjen e politikave për zhvillim me anën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Zhvillimi i shoqërisë së informacionit është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare, prioritet i cili do të vazhdojë të jetë i tillë në iniciativën "Shqipëria dixhitale ", që është e përcaktuar qartë në programin e Qeverisë për periudhën 2009-2013.
Është bërë një përparim i mirë në procesin e miratimit të legjislacionit të shoqërisë së informacionit, në përputhje me standardet e BE, ku mund të përmend:
-
Miratimin e ligjeve:
1. “Për Komunikimet Elektronike”;
2. “Për Nënshkrimin Elektronike”, e së shpejti ligjin për dokumentin elektronik;
3. ligjin “Për Tregtinë Elektronike”;
4. “Për Mbrojtjen e Të Dhënave Elektronike” dhe legjislacioni për Cyber krimin e së shpejti për databazat.
-
Vitin e kaluar, u miratua nga Qeveria një strategji e re për shoqërinë e informacionit. Si dhe ajo për "Shkencën, Teknologjinë, dhe Inovacionin" .
-
Janë themeluar prej tre vjetësh Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe së fundmi Agjencia për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion (AKTI), si dhe institucioni i Ministrit të Shtetit si përgjegjës për TIK dhe Komunikimet Elektronike dhe Postare.
-
Shkollat publike janë të pajisura në 4 vitet e fundit me laboratorë kompjuterikë, të lidhur me Internet broadband dhe janë hartuar e përshtatur kurrikulat për TIK dhe përmes mediumit të TIK.
-
Regjistri Kombëtar civil është dixhitalizuar.
-
Sistemit i prokurimit elektronik është zbatuar që nga fundi i vitit 2007 dhe aktualisht të gjitha prokurimet publike realizohen në mënyrë elektronike.
-
Shërbimi i Taksës elektronike është ofruar në vend që nga viti 2008; Deklarata doganore bëhet në mënyrë elektronike dhe Pasaportat e para biometrike janë lëshuar në fillim të vitit të kaluar,
-
Regjistrimi i bizneseve bëhet me "one stop shop", që prej vitit 2007 në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe së fundmi për marrjen e licensave në Qendrën Kombëtare të Liçensimit.
-
Po zbatohet një projekt për të ngritur pika aksesi për publikun në të gjitha Zyrat e Postës Shqiptare.
Por zhvillimi i shoqërisë së informacionit dhe zbatimi i qeverisjes elektronike është një proces i gjatë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Ne po punojmë shumë për të arritur qëllimet dhe për të përmbushur ambiciet tona drejt integrimit në BE.
Tregu i komunikimit elektronik në Shqipëri është liberalizuar plotësisht dhe kompanitë që zotëronte shteti dikur janë privatizuar. Penetrimi i telefonisë celulare në fund të vitit 2009 arriti në 129%, e cila është e krahasueshme me mesataren e BE, ndërsa depërtimi i telefonisë fikse mbetet i ulët. Penetrimi i internetit është rritur gjatë dy viteve të fundit deri në mbi 31%, por depërtimi i broadband është ende i ulët. Zhvillimi i rrjeteve broadband është një nga sfidat tona kryesore. Kështu një dokument i ri për politikat në sektorin e komunikimeve elektronike është përgatitur dhe miratimi i tij është në fazën përfundimtare. Ky dokument shqyrton gjendjen aktuale të komunikimit elektronik, përcakton vizionin e Qeverisë për zhvillimin e komunikimit elektronik në të ardhmen, në kontekstin e planeve kombëtare, si dhe vendos objektiva për çështje të rëndësishme lidhur me zhvillimin e rrjeteve broadband.
Gjithësesi duhet të kujtoj se jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan normat e përdorimit të TIK dhe të Broadbandit janë krahasimisht më të ulëta se mesatarja e BE dhe se çdo vend po përpiqet të zhvillojë këtë sektor me hapa eksponenciale ashtu siç evoluon edhe kjo teknologji. Vetëm para dy ditësh, Komisioni Federal i Komunikimeve në ShBA propozoi objektiva si 90% penetrim broadband dhe lidhje të banesave me 100 Mbs, duke theksuar se interneti do të zëvendësojë si medium telefoninë dhe televizionin tradicional.
Siç thashë më sipër, Qeveria shqiptare inicioi programin "Shqipëria dixhitale" si pjesë e programit të saj për periudhën 2009-2013. Do të doja të theksoja se ajo që është e rëndësishme kur flasim rreth Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit është mënyra se si këto përdoren nga individët apo institucionet, për përmirësimin në aksesin dhe shpërndarjen e informacionit, me qëllim përfshirjen në dialog, përmirësimin e arsimimit, tregtisë dhe të shërbimeve të Qeverisë. Pra iniciativa "Shqipëria dixhitale" nuk ka në thelb të saj përdorimin e kompjuterit, sistemet e bazave të të dhënave në internet dhe web faqet- edhe pse të gjitha këto janë të rëndësishme. Por ka të bëjë me përdorimin e tyre për të nxitur qeverisje efektive dhe politika demokratike, të gjithëpërfshirjes. Dhe sidomos ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve krejt të reja edhe për imagjinatën e sotme. Brenda këtij mandati, ne do të pajisim çdo nxënës me kompjuter, do të kemi çdo kompjuter të lidhur me internet. Edhe banori i fundit i krahinës më të largët, po të dojë, përmes celularit të tij, do të mund të paguajë faturat e dritave, ujit apo telefonit.
Në fund, unë do të doja të theksoja se nëpërmjet bashkëpunimit rajonal të gjithë ne do të kemi rezultate më të mira në drejtim të ndërtimit të shoqërisë së informacionit dhe të hapësirës vetjake të informacionit. Angazhimet e qeverive tona janë të shprehura nga nënshkrimi i eSEE Agjenda + në tetor 2007.
Ju uroj edhe një herë suksese gjatë këtyre dy ditëve të takimit,
Ju faleminderit për vëmendjen.
Tirana Hotel, 17 mars 2010