Kuvendi i Shqipërisë miraton ligjin “Për dokumentin elektronik”
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo tha sot në një deklaratë për mediat:
“Dje Kuvendi miratoi ligjin “Për dokumentin elektronik”; Me këtë ligj hapet një epokë e re në historinë e shkrimit, i cili zyrtarisht nuk do të jetë më vetëm mbi një kartë të shkruar me dorë, me makinë shkrimi apo me printer, siç jemi mësuar gjithë jetën tonë, por tani e tutje do të jetë në formë elektronike. Jo se në formë elektronike nuk ka qenë më parë, këtë e dinë të gjithë ata që përdorin kompjuterin, por dokumenti elektronik në bazë të rregullave të ligjit që u miratua dje, tashmë është një dokument zyrtar, i njohur e i përdorshëm nga administrata publike, gjykatat, noteritë, dhe nga sektori privat.”
Përmbajtja e ligjit “Për dokumentin elektronik”
Në kreun e parë të ligjit, rëndësi i kushtohet qëllimit për të cilin është hartuar ky ligj, objekti që rregullon të drejtën e personave fizikë dhe juridikë për të përdorur dokumentin elektronik në të gjitha veprimet e tyre juridike. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen në ato raste kur në legjislacionin në fuqi parashikohet shprehimisht përdorimi i dokumentit shkresor. Dokumenti elektronik ka të njëjtën vlefshmëri ligjore me dokumentin shkresor, në ato raste kur ai krijohet, dërgohet, merret, mbahet dhe ruhet, duke zbatuar teknologjitë e informacionit nëpërmjet kompjuterave, sistemeve kompjuterike, pajisjeve të ngjashme dhe programeve, duke mbartur nënshkrim elektronik të kualifikuar dhe se pranimi i përdorimit dhe i qarkullimit të tij realizohet me vullnet të deklaruar shprehimisht.
Në ligj trajtohen gjithashtu kriteret e dokumentit elektronik gjatë ciklit të dokumentimit, si struktura, forma e paraqitjes, origjinali apo kopja në letër, fuqia ligjore, si dhe përdorimi i dokumentit elektronik si mjet prove.
Janë parashikuar gjithashtu parimet e përdorimit dhe qarkullimit të dokumentit elektronik, përgatitja e dokumentit elektronik, dërgimi, marrja, konfirmimi i marrjes së dokumentit elektronik, koha e dërgimit të tij, ndërmjetësi i informacionit dhe shërbimet e tij, si dhe mbrojtja e dokumentave elektronikë.
Ligji parashikon ndër të tjera dispozita të veçanta që lidhen me informacionin e klasifikuar, në të cilët përcaktohet dokumenti elektronik që përmban të dhëna konfidenciale, verifikimi i pajisjes për përdorimin e tij me përmbajtje konfidenciale në autoritetet publike, çertifikimi i sistemit për përdorimin e këtij dokumenti, që përmban informacion të klasifikuar në autoritetet publike.
Ligje të tjerë të miratuar në këtë fushë
Përdorimi i teknologjive të informacionit dhe të komunikimit ka parakusht ekzistencën e kuadrit ligjor përkatës. Katër vitet e fundit janë miratuar disa ligje që lidhen me shoqërinë e informacionit, si psh.:
- Ligjin për Për mbrojtjen e të dhënave personale hartuar në përputhje me direktivën Dir.95/46/EC. (Ligji Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”)
- Ligji Nr. 9880, datë 25. 02. 2008, “Për nënshkrimin elektronik” hartuar në përputhje me eksperiencat e BE (Direktiva 99/93/EC);
- Amendimet e Kodit Penal me ligjin nr. 9859 dt. 21.1.2008 dhe me ligjin nr. 10023 dt. 27.11.2008 bene te mundur reflektimin e plote te kerkesave te Koventes per Krimin Kibernetik.
- Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” u miratua më 19 Maj 2008 nga Kuvendi. Ky ligj është hartuar në përputhje me direktivat e BE (paketa e vitit 2002).
Nderkohë Qeveria së afërmi do të miratojë projektligjin “Për bazën e të dhënave”.
Mbledhja e parë e Qeverisë Berisha pas votëbesimit në shtator 2010 u çel me projektin E- KABINET. Përmes tij, projekt-Vendimet e Këshillit të Ministrave nuk vijnë më me letër, nga ministritë në Kryeministri e më tej, por ato ofrohen në formë elektronike përmes një sistemi të siguruar.