e-Albania

Kërko »

AKSHI Banner

Ndodheni këtu:Kreu  AKSHI  Të reja

Kuvendi i Shqipërisë miraton marrëveshjen e huasë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit


“Kuvendi i Republikës  miratoi dje marrëveshjen e huasë prej 180 milion dollarë, e cila do të financojë ndërtimin e rrugëve dytësore dhe lokale në mbarë vendin. Ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët nga Kukësi në Ksamil e nga Kolonja në Koplik; për ata që  duan të udhëtojnë normalisht si në vendet e tjera të Evropës.


Kjo hua është financimi i dytë i menaxhuar më së miri nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Financimi i parë prej 107 Milion USD po përmbyllet, me të u ndërtuan 304 km rrugë, ndërkohë që është afër konkludimit financimi i  tretë.


Gjitashtu kanë nisur negociatat me donatorë të tjerë të interesuar, të nxitur nga mirëmenaxhimi dhe suksesi i programit, i cili  është shtrirë edhe tek ujësjellësat  e vepra publike të tjera. Në këtë menyrë po kthehen në realitet 1500 km rrugë rajonale dhe lokale  të premtuara nga Qeveria.”- tha sot në një deklaratë për mediat z. Genc Pollo, Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.


Fondi Shqiptar i Zhvillimit këto vitet e fundit ka qenë mjaft i suksesshëm në ndërtimin e rrugëve dhe ka marrë financime nga donatorë të shumtë, falë një pune të mirë, përgatitje teknike cilësore, konsultimi të vazhdueshëm me Pushtetin Vendor, plane afatgjata dhe sidomos përgatitje në avancë të projekteve të detajuara, çka të gjithë donatorët e kanë s’ine qua non për financimet e tyre (grante ose kredi të buta). Bashkëpunimi i mirë i Fondit me Pushtetin Vendor ka qenë kyç në suksesin e projekteve.


Investimi për përmirësimin e rrugëve dytësore dhe lokale është konceptuar si një program që koordinon financimet e një grupi të gjerë donatorësh ndërkombëtarë.


Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka aktualisht në proces ndërtimi 304 km rrugë dytësore dhe lokale në të gjitha qarqet e vendit me vlerë 107 mln USD. Këto fonde janë siguruar nga Qeveria shqiptare në formë granti apo huaje të butë nga Banka Boterore, OFID (Opec Fund for International Development), IPA (Bashkimi Evropian), Bankat për Zhvillim të  Këshillit të Evropës, si edhe nga vetë buxheti i Shtetit.


Segmentet rrugore ku po investohet janë përzgjedhur në një proces bashkëpunimi të ngushtë me njësitë e qeverisjes vendore, si edhe i janë nënshtruar një analize të impaktit social-ekonomik. Disa segmente që janë në zbatim janë Urë e Goricës-Mbreshtan-Sinjë, në qarkun e Beratit; Lezhë-Vau i Dejës në qarqet Shkodër dhe Lezhë; Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës; Belsh- Fierëz- Kosovë në Elbasan, e plot të tjera.
 
Kuvendi dje miratoi një kredi prej 50 milion Euro të BERZH, e cila është pjesë e një pakete prej 137 milion euro ose 180 milion USD, financuar edhe nga BEI, IPA 2010-2011 dhe Fondi i Investimeve te Ballkanit Perëndimor. Pjesë e grupit të donatorëve që i janë bashkëngjitur programit janë edhe Banka Islamike për Zhvillim, Kreditanstalt fuer Wiederaufbau ( Gjermani) - dhe IPA 2009, JICA(Japoni), dhe për të dytën herë OFID, me një vlerë totale prej 216 milionë USD. Si rezultat i suksesit të këtij programi  dhe interesit në rritje të donatorëve, është tejkaluar ndjeshëm, shuma e parashikuar e financimit prej 400 milion USD.

 

pass_si

Kërkon të dish

Lajme

Shërbime të reja

logo_akt

 

© Copyrigh 2009 e-Albania