Ministri Pollo: “Sistemi i ri kabllor Ballkan- Itali do të rrisë gati pafundësisht kapacitetin kombëtar të qarkullimit të internetit”
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo ishte sot në takimin e organizuar nga UNIFI Communications për prezantimin e Rrjetit Ballkan- Itali (Balkans- Italy Network, BIN), i cili do të përfshijë një sistem të ri kabllor nënujor me fibër optike. Ky sistem do të lidhë Shqipërinë me Italinë përmes një stacioni egzistues dhe lidhjes tokësore mundësuar nga Interoute Communications.
Në një deklaratë për mediat Ministri Pollo tha:
“Kjo është një iniciativë shumë e bukur, e mirë dhe e dobishme, sepse i krijon Shqipërisë një lidhje kabllore, e cila do të rrisë gati pafundësisht kapacitetin ndërkombëtar të qarkullimit të internetit. Sot dy kabllot që kemi janë të vjetra dhe me mundësi të kufizuara; Po ashtu edhe lidhjet e tjera valore e satelitore. Kjo gjendje pengon furnizimin me internet sipas kërkesës të konsumatorëve. Një sistem i tillë kabllor si ai që prezantohet e që do të lidhë Shqipërinë me Pikat e Aksesit të Internetit në Milano dhe në Frankfurt, do të krijojë të gjitha mundësitë që të kemi internet, jo me 2 MB, por me 20-30 MB madje edhe më shumë, si dhe me një çmim më të ulët se ai që paguajmë sot. Është një iniciativë private, pra nuk ka financim nga buxheti i shtetit, por ne jemi të angazhuar që të japim mbështetjen administrative për realizimin e saj”
Sistemi i ri kabllor mes Italisë dhe Shqipërisë, së bashku me objektet tokësorë, të interkonjeksionit të Tiranës me shpërndarës të mëdhenj të telekomunikacionit në Evropën perëndimore, do të rrisë shumë sasinë dhe cilësinë e Bandwidth-it për akses në Backbone-in global në internet, i cili është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë në epokën e informacionit, 3G-së së avancuar dhe shërbimeve WiMAX të celularëve, si dhe së shpejti, të Shqipërisë me një rrjet kombëtar broadband.
Pas fillimit të projektit në Shqipëri, UNIFI ka në plan ta zgjerojë shërbimet e BIN-it për vendet fqinje të Ballkanit, duke e pozicionuar Shqipërinë si qendër e zhvillimit të telekomit dhe të internetit për rajonin.