Ministri Pollo në Komisionin e Shëndetësisë: Inicion projekti “ Farmacitë dixhitale”
Ministri për Inavocionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit z. Genc Pollo ishte sot në Komisionin Kuvendor të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë së bashku me përfaqësues të ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për të paraqitur projektin “Farmacitë online”.
Gjatë mbledhjes Ministri Pollo tha se projekti Shqipëria dixhitale synon të mbulojë të tërë sektorët, të bindur në përvojën e viteve të mëparshme, por edhe në përvojën më të fundit botërore, që informatizimi dhe dixhitalizimi i shërbimeve sjell avantazhe jashtëzakonisht të mëdha për publikun, për personat, për qeverinë, në kuptimin e shërbimeve të shpejta, efikase, duke kursyer kohë dhe para publike, duke u bërë më transparente dhe duke fituar e rritur besimin e publikut tek institucionet shtetërore.
“Projekti “Farmacitë Online” – u shpreh Ministri, -që ne po ndjekim, ka konsistuar në nevojën që shërbimet individuale farmaceutike të lidhen online, duke patur shqetësimin e ISKSH-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, që mënyra e regjistrimit të barnave, e blerjeve të barnave që janë të mbuluara në regjistra që shkruhen dorazi, dhe që raportojnë me një efikasitet jo të mjaftueshëm, sjell probleme në ndjekjen e shpenzimeve reale që kanë farmacitë dhe të shpenzimeve të rimbursueshme sipas ligjit dhe politikave që ka qeveria. Për këtë arsye prej kohësh ka filluar një përpjekje për të lidhur online farmacitë. Hapi i parë do të jenë farmacitë që janë në zonat e arritshme, po i ndaj në zonat më të largëta ku kostoja e internetit është më e shtrenjtë dhe krijimi i regjistrave, i procedurave dhe protokolleve të veçanta, në mënyrë që çdo blerje e cila implikon rimbursim nga fondet e ISKSH-së të jetë e regjistrueshme dhe e verifikueshme në çdo moment.”
Ministri Pollo shprehu besimin se ky projekt do të jetë një sistem i cili do të rrisë efikasitetin e politikave sociale, në këtë rast të kujdesit shëndetësor, do të rrisë korrektesën e shërbimit nga ana e farmacive që do të futen në këtë rrjet, dhe për realizimin e tij përgjegjësia dhe buxheti janë të ISKSH. Ky është shembulli i ndërveprimit të MITIK-ës me ministritë e tjera. Ajo që MITIKA ofron është konsultimi i vazhdueshëm, miratimi i termave teknikë, në radhë të parë nëpërmjet AKSHI-t dhe koordinimi me ministritë e tjera.
“Çdo përfitues i shërbimit shëndetësor është parimisht një shtetas i Republikës së Shqipërisë me identitetin e vet- tha Ministri-. Tashmë ne kemi databazën kryesore të shtetit, Regjistrin Kombëtar Civil dhe që ISKSH-ja të jetë e saktë në përcaktimin e shtetasit, me të dhënat e veta, gjeneralitetet dhe adresën, kjo në një hap të dytë, do të duhet të nxirret e të krijojë ndërfaqet e veta. Ky është një veprim konkret që ka nevojë për koordinim dhe këtu Ministria ndërhyn për të bërë lidhjen. Ky është një rast që haset me të gjitha institucionet që japin shërbime të tilla. Por mund të kemi parasysh edhe QKR, QKL, Drejtorinë e Tatimeve, të Doganave, institucione të tjera që japin shërbime dhe kryejnë detyrimet e tyre ligjore. Nqs sot nuk do të kishim të dhënat individuale të certifikuara, që sot në mënyrë të ligjshme dhe praktike, i ka vetëm Rregjistri Kombëtar Civil, praktikisht detyrat nuk realizohen. Dhe ka qenë një nga sfidat, hapat që duhen hedhur që është pjesë e projektit tonë”-vijoi Ministri.
“Pra në lidhje me projekin “Farmacitë online”, të dhënat e përftuara do të na ndihmojnë për të minimizuar abuzimet por edhe për të orientuar qeverinë për një mirëshpenzim të parasë publike. Të gjihë e dimë që në të shkuarën në mungesë të shërbimeve të tilla, sistemi i paqartë dhe i vonueshëm në paraqitjen e tij edhe i manipulueshëm deri diku ka sjellë që, e para, shtetasit të mos përfitojnë në sasinë e kohën e duhur rimbursimin që parashikonte politika shtetërore si dhe pasojë imediate e kësaj që fondi i buxhetit i parashikuar për këtë qëllim nuk përdorej në mënyrën më të mirë. Me kalimin në lidhjen online të farmacive, me protokollet, procedurat përkatëse, mendoj që do të arrijmë edhe shërbime të tjera, rimbursime në kohë dhe përdorim të mirë, efikas, të rregullave në fuqi për këtë çështje. “ përfundoi Ministri Pollo.