Organizohet konferenca per promovimin e ligjit per nenshkrimin elektronik
Me praninë e Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit (TIK), Z. Genc Pollo, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik (AKCE), organizoi sot aktivitetin promovues “Mbi nënshkrimin dhe dokumentin elektronik”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të gjithë komunitetit të TIK, drejtues të sektorëve të Informatikës së ministrive, të sistemit bankar, përfaqësues të universiteteve, të shoqërive të ndryshme të sigurimeve, Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit, si dhe ekspertë të huaj, si Kryetari i Forumit Evropian për Autoritetet Mbikëqyrëse te nënshkrimeve elektronike, Z. Adam Silvester dhe përfaqësuesi i Postës Italiane Z. Adriano Rossi.
Gjatë këtij aktiviteti Ministri Pollo tha ndër tjera: “Nënshkrimi elektronik” ka hapur një epokë të re në historinë e komunikimeve, transaksioneve bankare dhe shërbimeve online. Tani janë të gjitha mundësitë që çdo shtetas shqiptar i interesuar të nënshkruajë kontrata, të marrë pjesë në prokurimet publike me mjete elektronike, të regjistrojë biznesin në disa minuta dhe në një të ardhme të afërt të votojë në mënyrë elektronike, ose nëpërmjet internetit pa qenë i pranishëm fizikisht, vetëm falë nënshkrimit elektronik.”
Përmbajtja e ligjit “Për nënshkrimin elektronik”
Ligji për nënshkrimin elektronik është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë ne muajin shkurt 2008. Në vazhdimësi me Urdhër të Kryeministrit është miratuar struktura dhe organika e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe është bërë plotësimi me aktet nënligjore. Qëllimi i Ligjit “Për Nënshkrimin Elektronik” është krijimi i kuadrit të nevojshëm ligjor për njohjen dhe përdorimin e nënshkrimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë. Ligji ka për objekt përcaktimin e kërkesave bazë të nevojshme funksionale, teknike dhe ligjore, që duhet të zotërojnë dhe zbatojnë Ofruesit e Shërbimit të Certifikimit; për mënyrën e lëshimit të certifikatave të kualifikuara, kushtet që duhet të plotësohen për prodhimin e tyre, përmbajtjen, si dhe kur dhe pse behet shfuqizimi e tyre; lëshimi i vulave kohore dhe qëllimi i përdorimit të tyre në dokumentet elektronike; procedurat për shfuqizimin dhe çregjistrimin e certifikatave të kualifikuara; mënyrën si trajtohen të dhënat personale që përdoren për krijimin e certifikatës së kualifikuara; statusin e Organizmit të Testimit dhe Konfirmimit, si dhe njohjen dhe pranimin e nënshkrimeve elektronike dhe produkteve të huaja. Me ketë ligj çdo dokument elektronik i nënshkruar me nënshkrim elektronik të kualifikuar i jepet e njëjta vlerë ligjore me dokumentin tradicional te nënshkruar dorazi. Ky ligj është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me Direktivën e KE 1999/93/EC për nënshkrimet elektronike.
Ligje të tjerë të miratuar në këtë fushë
Katër vitet e fundit janë miratuar disa ligje që lidhen me shoqërinë e informacionit, si psh.:
- Ligjin për Për mbrojtjen e të dhënave personale hartuar në përputhje me direktivën Dir.95/46/EC. (Ligji Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”
- Ligji Nr.10273,datë 29.4.2010 "Për dokumentin elektronik"
- Amendimet e Kodit Penal me ligjin nr. 9859 dt. 21.1.2008 dhe me ligjin nr. 10023 dt. 27.11.2008 bene te mundur reflektimin e plote te kerkesave te Koventes per Krimin Kibernetik.
- Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” u miratua më 19 Maj 2008 nga Kuvendi. Ky ligj është hartuar në përputhje me direktivat e BE (paketa e vitit 2002).
Nderkohë Qeveria së afërmi do të miratojë projektligjin “Për bazën e të dhënave”.
Mbledhja e parë e Qeverisë Berisha pas votëbesimit në shtator 2010 u çel me projektin E- KABINET. Përmes tij, projekt-Vendimet e Këshillit të Ministrave nuk vijnë më me letër, nga ministritë në Kryeministri e më tej, por ato ofrohen në formë elektronike përmes një sistemi të siguruar.