Shqipëria merr çmim për Prokurimin publik elektronik nga Kombet e Bashkuara
Shqipëria merr çmimin e dytë nga Kombet e Bashkuara për vlerësimin e ekselencës në shërbimin publik. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo tërhoqi çmimin për realizimin e Prokurimit Publik 100% on line.
Gjatë ceremonisë Ministri Pollo u shpreh:
“ Ky çmim i Kombeve të Bashkuara është një tjetër dëshmi, tanimë ndërkombëtare e veçanërisht prestigjioze, i avancimit që kemi bërë ne në prokurimin publik. Jemi deri tani i vetmi shtet që realizojmë 100% elektronikisht tenderat, duke ofruar një model që ka ngjallur interes për marrje përvoje nga shumë vende.”
Çmimi UN Public Service Award është më prestigjiozi që OKB jep për vlerësimin e ekselencës në shërbimin publik. Që nga viti 2003 kur Asambleja e Përgjithshme caktoi 23 qershorin si ditë e Shërbimit Publik ky cmim jepet në një ceremoni të vecantë. Këtë vit, për herë të pare ceremonia u zhvillua në Barcelonë, Spanjë. Ka cmim të parë e të dytë të ndarë sipas 5 rajoneve të botës. Këtë vit ne kategorinë e parë (Përmirësimi transparencës, llogaridhënies dhe reagueshmërisë) për rajonin Evropë & Amerikën e Veriut cmimin e parë e mori Gjermania (Agjencia Federale për vaksinat dhe biomedicinën) dhe të dytin Shqipëria, Agjencia e Prokurimit Publik me motivacionin se Shqipëria u bë i pari vend në botë që zhvilloi një sistem të detyrueshëm elektronik prokurimi për të gjithë prokurimet e sektorit publik duke siguruar një administrim te sigurt, eficient e transparent te dokumentacionit te tenderit.
Me rastin e ditës së Shërbimit Publik Kombet e Bashkuara akorduan 23 çmime të institucioneve publike nga e gjithë bota duke njohur përmirësimin e tyre në shërbimin publik, si dhe arritjet e tyre krijuese në zhvillimin e administratave më efektive dhe të përgjegjshme publike.
23 vende fituese ishin nga Shqipëria, Australia, Bahreini, Brazili, Kanadaja, Gjermania, Japonia, India, Italia, Republika e Koresë, Liban, Oman, Arabia Saudite, Tanzani dhe Tunizia. Këto vende u dalluan nga risitë në përmirësimin e cilësisë, transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë në shërbimin publik si dhe për avancimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e politikave e vendimeve.
Sistemi i prokurimit në vendit tonë ka patur probleme të mëdha, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në efektivitetin dhe mungesën e transparencës të këtij sistemi.
Në vitin 2009 Shqipëria u bë vendi i parë në botë që realizoi një sistem prokurimi elektronik të detyrueshëm për të gjitha prokurimet e sektorit publik mbi pragun e 3000 Eurove. Kjo platformë e prokurimit elektronik është një aplikim web-based, që mundëson transaksione të sigurta midis institucioneve shqiptare publike dhe biznesit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky sistem ofron një administrim e përgatitje të sigurtë e transparente të të gjithë dokumentave të tenderit, duke evituar punën e panevojshme shkresore, si dhe duke siguruar të dhënat e gjithë procesit (shih www.app.gov.al).