e-Albania

Në programin e Qeverisë është përcaktuar se Qeveria do të punojë në tre drejtime kryesore duke vendosur objektiva të matshme:

"Së pari, për shtimin dhe promovimin e shërbimeve elektronike për qytetarët, biznesin dhe administratën. Prioritet do të jetë rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve në administratën publike sipas parimeve të iniciativës Open Government Partnership.
Së dyti, për përdorimin e TIK në edukim për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të aftësuar rininë. Politikat do të jenë të orientuara drejt përmirësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve njerëzore në mënyrë që rritet numri i përdoruesve dhe të promovohet zhvillimi i ofruesve të e-shërbimeve. Në këtë mënyrë do të nxitet krijimi i vendeve të punës për të rinjtë të cilët mund të punësohen në tregun shqiptar, rajonal e më gjerë.
Së treti, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar me rigorozitet parimet evropiane të konkurrencës së lirë e të ndershme." AXHENDA DIXHITALE E SHQIPËRISË 2015-2020

Përshkrim

Portali unik qeveritar shumëfunksional e-albania.al administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Portali qeveritar e-Albania është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike.

Vizioni

Të shndërrohet në kanalin kryesor për marrjen e shërbimeve online të administratës publike

Çfarë ofron e-Albania

  • është një zyrë me një ndalesë për shërbimet online të administratës publike;

  • është një kanal online për ofrimin e shërbimeve publike në 24 orë në 7 ditë të javës;

  • ofron shërbime elektronike të nivelit 3 dhe 4 (sipas UNPAN 2014) nëpërmjet standardeve më të fundit të teknologjisë, mundësi për kryerjen e pagesave online për këto shërbime nëpërmjet kartave të debitit dhe kreditit;

  • ofron shërbime elektronike të nivelit 1 dhe 2 (sipas UNPAN 2014), ku çdo i interesuar të marrë informacion të detajuar në lidhje me shërbimet për publikun, (licenca, leje, autorizime, certifikata, vërtetime apo shërbime të tjera të ngjashme), dokumentacionin e nevojshëm, procedurën që duhet të ndjekë, oraret e funksionimit dhe vendndodhjen e zyrave të administratës, kontaktet, si dhe adresën e faqes zyrtare të institucionit që ofron shërbimin përkatës, ku mund të orientohet për detaje të mëtejshme;

  • është në përputhje të plotë me politikat e qeverisë në fushën TIK dhe Strategjinë Ndërsektoriale “Axhenda Dixhitale e Shqipërisë 2015-2020”;

  • ofron mundësi komunikimi për çdo paqartësi, pyetje apo problem mbi regjistrimin, shërbimet e ofruara në portal, përmes forumit të portalit, postës elektronike, komenteve dhe mesazheve në rrjetet sociale;

  • ka përmirësuar ofrimin e shërbimeve, duke reduktuar kohën e marrjes së shërbimit, duke evituar burokracitë, si dhe duke ulur korrupsionin;

  • ofron informacion dhe shërbime elektronike që krijohen dhe mirëmbahen nga institucione të ndryshme publike dhe private. Disponueshmëria dhe saktësia e shërbimit është përgjegjësi e institucionit përgjegjës, i cili ofron shërbimin e tij elektronik përmes portalit;

Misioni

  • të jetë kanali kryesor i marrjes së shërbimeve të administratës publike online për qytetarët, bizneset dhe vetë punonjësit e administratës publike;

  • t’u ofrojë përdoruesve një platformë, ku mund të jenë pjesë aktive e përmirësimit të shërbimeve publike dhe hartimit të politikave qeveritare;

  • të zgjerojë përvojën e përdoruesve përmes shtimit të vazhdueshëm të shërbimeve elektronike edhe me 250 shërbime elektronike të tjera brenda vitit 2016.

  • të rrisë informimin mbi ekzistencën e shërbimeve të administratës publike;

Përdoruesit

  • të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huajt me regjistrim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë;

  • bizneset e regjistruara në Republikën e Shqipërisë;

  • punonjësit e administratës publike në active directory;

  • vizitorët e portalit.

Standarde të përgjithshme

  • ofron informacion mbi shërbimet që ofrojnë institucionet e administratës publike. Informacioni i paraqitur në portal përditësohet nga vetë institucionet sipas nevojës;

  • siguron disponueshmërinë 24/7/365 me mbi 99% funksionalitet të portalit;

  • lidhet me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (Government Gateway), në të cilën janë lidhur rreth 37 institucione të cilat shkëmbejnë të dhëna në kohë reale dhe së shpejti do të shtohet edhe me 5 institucione të tjera;

  • sistemi i ndërveprimit është një sistem qendror shumëfunksional, një zgjidhje Enterprise Service Bus me një arkitekturë të orientuar nga shërbimet;

  • pagesat e shërbimeve elektronike realizohen në mënyrë të sigurt nëpërmjet Platformës Qeveritare të Pagesave Elektronike, e cila është e lidhur me institucione bankare dhe jo-bankare;

  • ofron gërshetimin e një sërë teknologjive të sigurisë për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve. Procesi i regjistrimit kryhet nëpërmjet portalit qeveritar dhe të dhënat e plotësuara, nga përdoruesit gjatë procesit të regjistrimit, verifikohen elektronikisht me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për individët dhe Regjistrit Kombëtar Tregtar për bizneset (QKB);

  • procesi i autentifikimit dhe identifikimit është i bazuar në strategjinë e "Single-Sign-On", për të krijuar një identitet unik për çdo përdorues, duke përdorur NID për qytetarin dhe NUIS për bizneset;

  • është në përputhje me versionet më të fundit të shfletuesve të internetit si Internet Explorer, Google Chrome, Mozilla Firefox, Safari etj;

  • aksesohet në versionet web mobile, app mobile iOS dhe Android;

  • ofrohet 100% në gjuhën shqipe;

Për të ofruar një përvojë sa më të mirë gjatë përdorimit të portalit, i inkurajojmë përdoruesit të lenë komentet apo sugjerimet e tyre përmes forumit të portalit, postës elektronike, komenteve dhe mesazheve në rrjetet sociale;