Sesioni juaj po skadon!


Përdoruesit dhe mënyrat e identifikimit në portalin qeveritar e-Albania

Përdoruesit dhe mënyrat e identifikimit në portalin qeveritar e-Albania

Në portalin e-Albania kemi tre lloje përdoruesish: Punonjës qeveritar, qytetar dhe biznes si dhe pesë mënyra të ndryshme identifikimi:

1. Punonjës qeveritar:

• Mënyra e parë "Identifikimi i punonjësve qeveritarë me fjalëkalim" bëhet nëpërmjet të njëjtave kredenciale: emër,mbiemër dhe fjalëkalim, që përdoren për aksesimin në hapësirën e kompjuterit dhe email-it (gov.al) të institucionit qeveritar ku ju punoni. Kjo mënyrë identifikimi ju lejohet të gjithë punonjësve të Kryeministrisë, ministrive të linjës dhe institucioneve të varësisë, të cilat janë të përshira në domain-in "gov.al" në Active Directory-në, e cila administrohet nga AKSHI.




• Mënyra e dytë "Identifikimi i punonjësve qeveritarë me certifikatë" bëhet nëpërmjet certifikatës elektronike.

Sipas VKM Nr. 703, datë 29.10.2014 AKSHI zhvillon, administron dhe mirëmban infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike, e cila ndër të tjera përbëhet nga: Çelësi publik dhe menaxhimi i certifikatave elektronike për administratën publike. Me garancinë financiare si institucion qeveritar, AKSHI siguron pajtueshmërinë me nenin 19, të ligjit nr. 9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”.

Punonjësit qeveritarë pajisen me një usb token, me anë të të cilit mund të identifikohen dhe logohen në portal.




Ky shërbim kërkon browser Internet Explorer. Ndiqni hapat e detajuara sipas manualit duke klikuar linkun e mëposhtem :
Manuali login me certifikatë elektronike

2. Biznes:

Identifikimi bëhet nëpërmjet NUIS dhe Fjalëkalimit.


3. Qytetar:

• Mënyra e parë e identifikimit bëhet nëpërmjet Numri Personal në kartën e identitetit të shtetasve dhe Fjalëkalimit.

Për të huajt që kanë qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm, që ata të mund të identifikohen në portal, duhet të regjistrohen paraprakisht si qytetar në Regjistrin e Gjendjes Civile duke u pajisur me numrin e identitetit të shtetasve sipas procedurës: “Regjistrimi i Shtetasve të Huaj”




Kujdes, nëse fjalëkalimi vendoset tre herë gabim, llogaria do të bllokohet për tre ore. Për të bërë zhbllokimin e llogarisë kontaktoni në login@e-albania.al.

Nëse nuk e mbani mend fjalëkalimin, për të vendosur një fjalëkalim të ri, klikoni “Harruat fjalëkalimin?”. Ndiqni udhëzimet dhe përgjigjuni “Pyetjes së sigurisë” që e keni zgjedhur kur keni bërë regjistrimin në portal.

Nëse nuk e mbani mend “Pyetjen e sigurisë” apo vazhdoni të keni probleme me aksesimin e portalit kontaktoni në login@e-albania.al që t’ju gjeneroj/jë fjalëkalimin.


• Mënyra e dytë e identifikimit për përdoruesin e tipit “Qytetar” është nëpërmjet Kartës së Identitetit. Për të përdorur shërbimet elektronike nëpërmjet kësaj mënyre identifikimi, zotëruesi i Kartës së Identitetit duhet të aktivizojë kartën e tij të Identitetit. Kompania ‘ Aleat’ ofron shërbimin e aktivizimit të Kartës së Identitetit në çdo pikë të shërbimit ‘Aleat’ në të gjithë Shqipërinë. Pasi të jetë bërë aktivizimi, për të përdorur elektronikisht kartën tuaj të identitetit, juve ju nevojitet një lexues karte. Lexuesi i kartës lejon që kompjuteri të komunikojë me mikroçipin në Kartën tuaj të Identitetit.

Për më tepër informacion mbi aktivizimin e kartës së identitetit dhe lexuesve të kartës vizitoni http://aleat.al/al/aktivizim-karte.