Lajme

ATP dhe ALUIZNI, së shpejti shërbime të reja elektronike

ATP dhe ALUIZNI, së shpejti shërbime të reja elektronike

Më pranë qytetarëve me sportele online

e-Albania vijon shtimin e shërbimeve të reja elektronike, duke mos u ndalur në asnjë çast në misionin e vet për të qenë në funksion të plotë të qytetarit dhe biznesit shqiptar.

Shumë shpejt në portën e vetme online të qeverisë mund të gjeni shërbime të Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe ALUIZNI-t kushtuar qytetarëve, të cilët kërkojnë të sqarohen rreth problematikave të tyre apo të marrin një dokumentacion shtesë.

Çështja e pronave mbetet ende mjaft e ndjeshme dhe në sportelet fizike të Agjencisë së Trajtimit të Pronave mbërrin një numër i konsiderueshëm kërkesash që kërkojnë të marrin përgjigje. Posaçërisht, online në portalin e-Albania qytetarët e interesuar mund të kryejnë shumë shpejt dërgimin e një kërkese për informacion në lidhje me ecurinë e shqyrtimit të dosjeve të ndjekura nga ATP-ja.

Po si do të jetë procedura?

Me anë të dërgimit online të kërkesës për marrjen e informacionit, vetë ATP-ja, përmes personave përgjegjës, kryen shqyrtimin e kërkesës bashkë me dokumentacionin shoqërues.

Në rastin kur kërkesa është e rregullt, ajo trajtohet nga specialistët dhe brenda 30 ditësh qytetarit të interesuar i kthehet përgjigjja online përmes e-mail-it si dhe te seksioni “Hapësira ime” në portalin e-Albania. Në rast se përgjigjja kërkohet edhe në letër, atëherë qytetari duhet të paraqitet fizikisht pranë sporteleve të ATP-së. Edhe kur aplikimi për kërkesën nuk është sipas rregullave të paracaktuara, sërish njoftimi i qytetarit bëhet me e-mail, duke shmangur çdo lloj keqkuptimi të mundshëm. 

E njëjta procedurë ndiqet edhe nëse qytetari ka ankesa në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të ndjekura nga ATP-ja.

 

ALUIZNI, shërbim të ri efikas për qytetarët

ALUIZNI është një tjetër institucion që pret një fluks kërkesash çdo ditë dhe ndodhet në përpjekje të vazhdueshme për sqarimin dhe rrugëzgjidhjen e problematikave nga më të ndryshmet.

Një spektër i gjerë shërbimesh lidhur me pronat ndodhet në portalin e-Albania, ndërsa shumë shpejt pritet të jetë aktiv shërbimi elektronik që i mundëson çdo qytetari të aplikojë për t’u pajisur më pas me një vërtetim që provon se ndërtimi i tij është në proces legalizimi.

Qytetarët e interesuar, mund ta dërgojnë aplikimin menjëherë dhe pa vonesa, por më parë duhet të kenë vetëdeklaruar ndërtimin informal, pasi shërben edhe si dokumentacion për plotësimin e formularit. Më tej procedura është mjaft e lehtë dhe mbetet në përgjegjësinë e ALUIZNI-t që të verifikojë saktësinë e dokumentacionit. Nëse çdo gjë rezulton e rregullt atëherë qytetari merr elektronikisht vërtetimin e kërkuar. Kur ka mangësi, elektronikisht njoftohet aplikanti dhe udhëzohet për të përfunduar me sukses procedurat.